Jul 16, 2008

Donkishotizmi dhe "njeriu i tepërt"

Kryeveprat e letërsisë botërore, gjithmonë kanë pasqyruar karaktere që i kalonin kufijtë e veprës, duke arritur deri në përgjithësime universale. Falë gjenialitetit të tyre, shkrimtarë të mëdhenj, të paharruar nga shekujt dhe që gjithmonë kanë qenë në qendër të vemendjes nga studiues letrarë, filozofë e psikologë, kanë shpalosur nëpër faqjet e veprave të tyre një zbërthim të hollësishëm të karaktereve, deri sa ja kanë dalë mbanë që personazhin e veprës së tyre ta shndërrojnë në ikonën e shumë njerëzve të ngjashëm me të. Që nga "Medea" e deri tek "Idioti", dhjetra personazhe janë evidentuar si të tillë, por për t'u veçuar janë "Don Kishoti" i Servantesit dhe "Eugjen Onjegini" i Pushkinit, të cilët kanë gjetur përdorim të gjerë në fjalorin e çdokujt, pa përfshirë në kontekst vetë veprën.

Donkishotizmi, si dukuri, karakterizohet nga dëshira e brendshme: për drejtësi aty ku sundon padrejtësia, për të ndihmuar aty ku ka vuajtje; si dhe nga një ndjenjë fisnike, por imponuese, për t'i rrënjosur shoqërisë parimet vetiake mbi atë çka duhet të jemi, të kemi dhe të paraqesim, mbi ndjenjat njerëzore (në veçanti mbi dashurinë), dhe së fundmi, mbi lirinë. Persona të tillë janë fisnikë dhe gëzojnë respektin e të tjerëve për virtytet që trumbetojnë, deri në momentin që vendosin t'i kthejnë në realitet dëshirat dhe ëndrrat e tyre, sepse në këtë pikë, ata përveçse bëhen qesharakë, u shkaktojnë dëm të tjerëve, dhe njëkohësisht edhe vetes së tyre. Në thelb, një njeri don kishot është një njeri që nuk i njeh ligjësitë e vërteta mbi të cilat është ndërtuar shoqëria njerëzore dhe nga paaftësia për të sistemuar idealet e së djeshmes nga ato të së sotmes, ndërmerr aventura qesharake.

Onjeginizmi, apo siç njihet gjerësisht në literaturë, dukuria e "njeriut të tepërt", prek kryesisht intelektualë të studiuar, me një bagazh kulturor të jashtëzakondshëm, por që realiteti përreth i çon dëshpërimisht në indiferentizëm dhe pesimizëm. Njerëz të tillë nuk ngurojnë të japin mendime të vyera, të cilat i kanë përfituar falë studimeve, përtej asaj që u ka ofruar shoqëria, por për shkak të mungesës së kushteve të favorshme për veprim, kufizohen vetëm me dhënien e deklaratave. Gjithsesi, me fjalët që thonë, mbështetin ata që ndajnë mendime të njëjta me ta dhe ndërgjegjësojnë pjesën tjetër. Në këtë këndvështrim, "një njeri i tepërt " është në njëfarë mënyre fatkeq, sepse realiteti që ai shikon, megjithëse mund të jetë i vërtetetë, është ndryshe nga realiteti që sheh pjesa tjetër e shoqërisë, dhe kjo e izolon atë nga shoqëria, deri sa i shkatërron çdo shpresë për një shoqëri që i përmbush idealet e tij.

Nëse do të krahasonim donkishotizmin me dukurinë e "njeriut të tepërt", dallimi që do të binte menjëherë në sy, është efekti që ato kanë mbi shoqërinë ku këta njerëz jetojnë e veprojnë. Një "njeri i tepërt", megjithëse vetë nuk bën asgjë për t'i dhënë jetë aspiratave të tij, i reflekton ato tek të tjerët, duke i ndihmuar ata për ta parë botën në dimensione të tjera, për të kuptuar, dhe më vonë për t'i marrë parasysh të vërtetat e jetës në veprimet e tyre. Ndërsa donkishotizmi, përkundrazi, është një dukuri shterpë dhe e panevojshme, por jo vetëm kaq. Duke qenë se për të përmbushur të pamundurën, njerëz të tillë ndërmarrin veprime absurde, shpesh shkaktojnë telashe tek të tjerët. Një ndryshim tjetër është edhe përpjekja për të përmbushur idealet. Ndërsa "njerëzit e tepërt" qëndrojnë pasivë, don kishotët, me një vullnet çuditërisht të pamasë, përpiqen deri në fund për të siguruar drejtësi.

Fundi tragjik i përbashkët i këtyre dy karaktereve përbën anën më të errët të dukurive. Në fund, një "njeri i tepërt" ndjehet i paplotësuar, i dëshpëruar, pesimist, "i tepërt". Edhe një don kishot ndjehet i mundur para sfidës më të madhe, motivit të jetës së tij: luftës për liri e drejtësi në botë.

Në kohën kur Pushkini shkroi "Eugjen Onjeginin", ky personazh ishte pasqyrimi i përsosur i një të riu aristokrat përparimtar, të pakënaqur nga politikat e regjimit carist në Rusinë e asaj kohe. Sot, dy shekuj më pas, shoqëria është e mbushur plot me intelektualë të paplotësuar që të pikëlluar shohin realitetin e hidhur, ashtu siç ka edhe don kishotë, që më kot luftojnë për ideale. Në këto 4000 vjet ekzistencë, natyra njerëzore nuk ka ndryshuar shumë. Vetëm nëpërmjet skalitjes së karaktereve të tilla është zbuluar sadopak kjo natyrë.

0 coment(s):