Jul 16, 2008

Shqipëria – Një lumë, brenda shtratit të tij që derdhet në Detin Europian

Jean Monnet, i pari projektues që ndezi shkëndijën e realizimit të ëndrrës për një Evropë të bashkuar, e kishte të qartë se integrimi ekonomik e politik evropian nuk do të mund të konceptohej jashtë kontureve të shkëmbimit e të shkrirjes së vlerave e idealeve kombëtare. Më se gjysmë shekulli më vonë, Shqipëria është më e vendosur se kurrë për t’u bërë pjesë e ëndrrës. Ndërsa vështrimi është i palëkundur për përmbushjen e standardeve, është thelbësore ruajtja e personalitetit tonë kombëtar, me vlerat e trashëguara nga e shkuara dhe me virtytet me të cilat jemi identifikuar si komb. Historia, fryma e atdheut, drejtësia e pastërtia morale dhe pasuria kulturore e trashëguar i kanë falur Shqipërisë dinjitetin për t’u bërë pjesë e komunitetit evropian jo vetëm pa shembur asgjë nga qenia e saj, por duke e shfaqur tërësisht atë.

Natyra e popullit shqiptar do të vërë vulën e saj në çdo hap që do të ndërmarrë Shqipëria në kuadrin e marrjes dhe zbatimit të vendimeve ekonomike, politike dhe sociale të Bashkimit Evropian. Kjo natyrë, herë e kritikuar, por më shpesh që na bën të ndihemi krenarë për identitetin tonë kombëtar, ngrihet mbi bazën e një sërë vlerave e virtyteve, përkatësia e të cilave me Shqipërinë është e pohuar gjerësisht, dhe jo vetëm nga ne, shqiptarët. Të shumta janë këto cilësi, që nga besnikëria e deri te mikpritja dhe tërësia e tyre përbën një nga elementët më të mirë të paraqitjes dhe përfaqësimit të vendit tonë. Është shumë e rëndësishme që këto atribute të ruhen dhe të jenë pjesë e portretit shqiptar në procesin e evropianizimit.

Ekzistenca e Shqipërisë si shtet, e tashmja dhe e ardhmja e saj, nuk mund të kuptohen pa njohur historinë e së kaluarës. Është një e kaluar e lavdishme, e përgjakur nga domosdoshmëria për liri dhe e udhëhequr nga idealet më të larta të qenies njerëzore dhe toleranca e besimit. Kjo e kaluar e kthyer në mit për ne, rrezaton në çdo faqe të saj frymën e unitetit, që në thelb është një frymë bashkëpunimi për të realizuar një qëllim të përbashkët. Po e njëjta frymë bashkëpunimi do të ishte e çmuar edhe në kuadrin e projekteve të përbashkëta evropiane dhe historia jone është garanci për të. Asnjë popull më shumë se ne nuk e ka atë eksperiencë për kompromis apo qëndresë edhe në situatat më kritike.

Si një nga kombet më të lashta të Ballkanit, kemi trashëguar një thesar kulturor që është dëshmi e shpirtit artistik shqiptar. A ka lumturi më të madhe për ne se ta ndajmë atë me miqtë tanë të kontinentit të vjetër? Është e qartë se globalizimi i ka rrëzuar barrierat kulturore mes kombeve, por kjo nuk do të thotë kurrsesi se duhet ta lëmë nën pluhurin e harresës artin dhe kulturën tradicionale. Ata janë plotësues të profilit të Shqipërisë dhe pjesë e rëndësishme e gjithë pasurisë kulturore evropiane.

Integrimi evropian është një sfide e madhe dhe si çdo proces i ndërlikuar do të ketë vështirësitë e veta. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që Shqipëria t’i kalojë pengesat pa u tjetërsuar, duke paraqitur më të mirën e saj nga pikëpamja morale, historike dhe kulturore. Karakteri i fortë dhe personaliteti i konsoliduar i kombit tonë do t’i sjellë Evropës në mënyrë të pashmangshme vlera, të cilat ashtu si edhe vetë Shqipëria do të bëhen pjesë e pandashme e saj.

0 coment(s):