Jul 16, 2008

Kaq të ndryshëm, kaq të barabartë

Shoqëria njerëzore, prej shekujsh është përfshirë në një valë konfliktesh, padrejtësish e mëkatesh, herë vdekjeprurëse për një individ e herë aq gjithëpërfshirëse sa edhe një luftë botërore, burimi i së cilës ka qenë dhe mbetet ndryshueshmëria mes njerëzve. Që në momentin kur kurioziteti njerëzor e kaloi pragun e mosnjohjes dhe njeriu u ndesh me natyra të ndryshme, ndonëse brenda llojit të tij, paqja që sundonte deri atëherë pushoi së qenëri dhe lindën një varg problemesh, edhe sot shumë aktuale. Jo vetëm e vetmja rrugëdalje nga këto probleme, por edhe një armë e fortë zhvillimi për njerëzimin është padyshim garantimi i barazisë pa e cenuar këtë diversitet midis pjesëtarëve të shoqërisë njerëzore, e cila tashmë është ingranuar në procesin e pakthyeshëm të globalizimit.

Është e pakuptimtë të mohosh ose të kundërshtosh ekzistencën e ndryshimeve nëse bëhet fjalë për lëndë njerëzore. Ashtu siç jemi të ndryshëm gjenetikisht, ashtu edhe shfaqemi me personalitete, interesa, nevoja, aftësi, perspektiva, ide, ndjenja e emocione, opinione, besime, vlera e madje dhe mënyra jetese të ndryshme. Nga një këndvështrim tjetër, kam bindjen se vetëm në një sipërfaqe të kufizuar të një metropoli perëndimor mund të takoje një larmi racash, kombësish, kulturash, moshash, klasash shoqërore dhe besimesh fetare e politike. Është e domosdoshme që ky mozaik të mbahet nën kontroll në radhë të parë për të arritur mbijetesën e individit dhe më pas për të marrë më të mirën e secilit grup duke formuar një kulturë të vetme kolektive përzgjedhëse. Mendimi se diversiteti njerëzor nuk sjell gjë tjetër veç telasheve i ka kushtuar shoqërisë prapambetje. Kjo gjë është reflektuar në një frymë jobashkëpunuese e shoqëruar me mungesën e këndvështrimeve, zgjidhjeve, veprimeve, eksperiencave dhe mundësive të reja, që e pasurojnë komunitetin dhe e drejtojnë atë drejt realizimit të më të mirës së mundshme.

Hapi i parë që duhet ndërmarrë në këtë drejtim është sigurimi i respektimit të lirive dhe të së drejtave të individit në çdo qelizë të mekanizmit të funksionimit të shoqërisë ku ai merr pjesë. Sanksionimi i tyre me ligj është arritur tashmë, por kjo nuk mjafton. Bëhet fjalë për një koncept individual që duhet të jetë pjesë e moralit të secilit prej nesh. A jemi të hapur sa të pranojmë dikë të ndryshëm nga ne dhe të respektojmë çdo të drejtë të tij si të bëhej fjalë për vetë ne? Në këtë drejtim ka shumë për t’u bërë që të arrihet një barazi midis njerëzve përkrahë ndryshimeve mes tyre.

Respektimi i të drejtave dhe lirive është më e pakta që mund të bëhet për të arritur atë shkallë zhvillimi ku çdokush është i vlefshëm dhe gjen vendin në dhënien e kontributit të vet për realizimin e një qëllimi të caktuar. Pranimi i ideve të ndryshme, përshtatja e përvojave jo të afërta dhe vënia në zbatim e projekteve të përbashkëta të krijuara nga pjesëmarrja e një diversiteti individësh do të çonte në një sukses të paimagjinueshëm, nëse ne do të ishim të gatshëm për të qenë të hapur gjatë punës sonë. Por, ne s’jemi plotësisht. Nëse do të mbyllnim sytë dhe gjykimet s’do të ishin më të rëndësishme sesa dëshira për t’ia dalë mbanë, atëherë po që mund të thoshim se barazia më në fund u arrit dhe ndryshimet mes nesh veçse na ndihmojnë.

Dikur, Martin Luther King luftonte për barazi dhe mundësi të njëjta nën moton e famshme: “Unë kam një ëndërr...” dhe qindra mijëra të tjerë iu bashkuan për fitoren e kësaj beteje. Beteja ende s’ka mbaruar dhe unë ndaj të njëjtën ëndërr me të. Ndoshta do të vijë një ditë kur barazia mes të ndryshmëve të garantohet, pas shumë pune e përpjekje dhe vetëm atëherë kjo ëndërr do të realizohet...

0 coment(s):