Jul 16, 2008

Ku gabuam? Shekuj histori vlerash dhe idealesh të shkërmoqura në një realitet të shëmtuar

Përditë shoh qartë rrugëve të qytetit, mbretërimin e anarkisë. Në çdo bisedë të çiltër, duket se si mbytet pafajësia, si “më të liqtë” veprojnë të lirë pa asnjë kufizim, e si “më të mirët” kryesojnë pa asnjë vlerë. E në dritën e këtyre mendimeve të mia, me të drejtë më vjen ndërmend historia e popullit tonë, e cila, padyshim, është e vetmja gjë për të cilën çdo shqiptar, pavarësisht se kush është, duhet të ndihet krenar.

Shqipëria, të gjithë shekujt e ekzistencës së saj i ka patur shekuj vuajtjesh. Luftra, dhunë, privime nga gjuha, besimet e kultura jonë, tjetërsime të imponuara. Megjithë shortin mizor që shoqëroi historinë tonë, ne, me forcën e vullnetit dhe aftësinë për t’u bashkuar atëherë kur bashkimi është i domosdoshëm për t’ia dalë mbanë, kemi ditur të ruajmë jo vetëm trojet e gjuhën shqipe, por edhe një numër vlerash e idealesh, që, si pjesë e kulturës sonë, na e kanë lartësuar të gjithë qënien, dhe i kanë dhënë nota madhështie identitetit shqiptar.

E gjithë pasuria shpirtërore dhe virtytet që të parët tanë aq me insistim kërkuan që ne ta trashëgonim është e stërmadhe dhe e papërshkrueshme. Por, nuk mund të le pa përmendur, ato që përtej asaj që janë në të vërtetë, janë kthyer në mite për ne shqiptarët: dashuria për atdheun qëndron në krye, për magjinë dhe madhështinë që shfaq, por edhe për dobinë në çaste historike të vështira, e më pas besa, bujaria, aftësia për kompromis, devotshmëria për punë, dëshira për dije...

Dhe kur përmend gjithë këto vlera e ideale, kam ndjesinë se ato nuk kanë aspak lidhje me epokën e materializmit, ku kemi hyrë prej vitesh. Ajo që më shqetëson më shumë është se si është diskredituar çdo shfaqje e virtyti. Fjalët “i respektueshëm”, “i devotshëm” “i denjë” kanë fituar një ngjyrë tallëse dhe përdoren vetëm me ironi. Më të rinjtë nuk kanë bindjet e tyre, ndërsa më të moshuarit përpiqen t’i përshtaten realitetit, duke devijuar nga mendimet e ngurta të mbetura në mendjen e tyre nga e shkuara. Shoqëria është fokusuar në vlera të rreme, duke mos ditur të vlerësojë ato të vërtetat. Motivi i fitimit ka zhytur thellë në terr çdo ideal. Jeta është e zhurshme dhe e rrëmujshme.

Idealet dhe besimi tek to është thelbësor që një shoqëri njerëzore të shkojë përpara. Ashtu si yjet, për një lundrimtar në gjerësinë e detit, idealet, edhe pse nuk i prekim dot, na drejtojnë në udhën drejt qytetërimit. Braktisja e tyre bën që të gjendesh në udhëkryqe vetëm e krejt i humbur. Ne nuk na ka mungojnë idealet ku të besojmë. Na mungon vullneti, e prandaj jemi të mbuluar nga kaosi dhe errësira. Është për të ardhur keq sesi i kemi privuar vetes përparimin, kur mbi supe kemi patur atë histori vlerash e idealesh. Kaq pranë dritës dhe të paparë, siç thoshte Noli i madh.

Që shoqëria njerëzore të fuksionojë siç duhet, duhet të jetë e organizuar në njëfarë mënyre. Por, shqiptarët e sotëm, ndoshta më të ushqyer mirë, më kureshtarë e më kritikë dhe sigurisht më të shkolluar se shqiptarët e çdo periudhe tjetër, kanë një ndjenjë mospërfilljeje ndaj institucioneve, ndryshe nga shekuj më parë, ku shteti nuk ishte i konsoliduar dhe institucione nuk kishte fare, por që nga nevoja për të bashkërenduar forcat, shqiptarët organizoheshin në mënyrë spontane. Kohët e fundit, njerëzit janë larguar gjithnjë e më shumë nga arti, që është shfaqja më sublime e vlerave dhe e gjithë trashëgimia artistike e popullit tonë, është lënë nën pluhurin e kohës nëpër muze. Gjithashtu, mjetet e komunikimit masiv, që po përjetojnë një erë të ndritur, bëjnë që shqiptarët të mos përthithin vetëm anën pozitive të informacionit. Të gjitha këto kanë bërë që realiteti shqiptar të jetë larg së përkryerës, larg asaj që do të donim të gjithë të ishte.

A kemi ne gjë në dorë për të ndryshuar? Sigurisht. Ne të gjithë jemi pjesë së një të tëre, e cila, tek e fundit pasqyron atë që secili prej nesh është. Nëse afrojmë pranë vetes vlera dhe nëse i qëndrojmë besnikë idealeve tona, në një farë mënyre kemi kontribuar për një Shqipëri më të begatë. Të ardhmen e kemi përpara dhe prandaj nuk kemi pse të mos jemi optimistë. Vërtet, e ardhmja është e pashkruar dhe le të shpresojmë që vendin e kësaj ndërgjegjeje të shqetësuar që më shoqëroi gjatë gjithë rrëfimit tim, teksa në mënyrë modeste u përpoqa të ballafaqoja të kaluarën e lavdishme me të sotmen “e shëmtuar”, ta zërë krenaria dhe lumturia e një Shqipërie që ecën e sigurtë në rrugën e dritës dhe të mirësisë...

0 coment(s):