Jul 16, 2008

“A është ajo? Apo si në ëndërr ma sjell zemra?”

Qëndroj këmbëkryq përpara fatit. Hesht nga ankthi i ditëve të mija dhe pres rrjedhën e kohës. Tregohem shpërfillës ndaj rrahjeve të forta të zemrës, monotonia e së cilave i jep sadopak rregullsi asaj furtune të brendshme; e më kot mundohem ta largoj mendjen nga ajo gjendje torturuese, që tashmë pas shpirtit, pushtoi pamëshirshëm çdo qelizë të trupit.

I dëshpëruar, kërkoj të gjej shpëtim në çdo gjë: në thellësinë e frymëmarrjes, në klithmat e palejuara, në qartësinë e mendimit. E sa here që e kuptoj që shpëtimi im është larg, sepse shpëtimi im është ajo, të gjitha mendimet në kokë mundohem t’i largoj, e zemra më rreh edhe më fort.

Pikërisht atëherë kur mendoj se i kam mposhtur të gjitha lëkundjet emocionale, në mënyrë të pavullnetshme, si gjithçka që lidhet me dashurinë, më shfaqet imazhi i saj. Imazh i tjetërsuar, ashtu si në ëndrra, ku e bardha të duket rozë dhe e kuqja, më e ndezur. Imazh me konture të venitura dhe pikëpyetje dyshimesh në sfond. Dhe për disa sekonda, koha ndal, zemra pushon së rrahuri dhe ajo, shpëtimtarja, më duket sikur ka fituar mbi çdo gjë: mbi frymëmarrjen e thellë, mbi klithmat e dëshpëruara, mbi mendimin e qartë, për të më shpëtuar mua nga gjithë ato lojra psikologjike e emocionale që luheshin brenda meje, gjatë pritjes së gjatë për të. Por jo! Ashtu si në ëndërr, kur agimi shkatërron çdo dyshim e shpresë, ashtu edhe ajo tretet çdo çast, në çdo grimcë ajër. E tymi që mbetet, e bën agimin edhe më të mallkuar. Gjithçka nis nga e para…

I lodhur, i dehur dhe i pasigurt nëse ajo që po më ndodh është një dënim i pamerituar apo një dhuratë e çmuar që vetëm një here në jetë të jepet, mundohem të parashikoj të nesërmen, dhe ashtu, i heshtur e i turbulluar, përpiqem të gjej nëpër tym, qoftë edhe më të voglën shenjë të saj, si ogur i mirë për të përsosurën, paqjen shpirtrore, parajsën.

0 coment(s):